BB: Projekti për bujqësinë me ecuri jo të kënaqshme, vetëm 9 për qind e fondeve të përdorura
Banka Botërore vlerëson si mesatarisht të pakënaqshme ecurinë e projektit për bujqësinë. Vetëm 6.51 milionë dollarë janë disbursuar.

Banka Botërore e vlerëson si mesatarisht të pakënaqshme ecurinë e projektit për qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri, me një financim të rishikuar prej 72.4 milionë dollarësh. Sipas raportit më të fundit, vetëm 9 për qind e fondeve janë disbursuar, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e investimeve të planifikuara nuk kanë nisur ende dhe treguesit kryesorë të rezultateve mbeten në zero.
Në raportin e publikuar më 21 tetor 2026, Banka Botërore ruan vlerësimin “Moderately Unsatisfactory”, ose “mesatarisht i pakënaqshëm”, si për progresin drejt objektivave të zhvillimit, ashtu edhe për zbatimin e përgjithshëm të projektit. Ky vlerësim mbetet i pandryshuar nga raporti i mëparshëm.
Projekti u miratua në mars 2023 dhe hyri në fuqi në shkurt 2024, me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si institucion përgjegjës për zbatimin. Ai synon përmirësimin e konkurrueshmërisë së prodhimit bujqësor, modernizimin e sistemeve të ujitjes dhe kullimit, forcimin e sigurisë ushqimore dhe përshtatjen e sektorit ndaj ndryshimeve klimatike.
Banka Botërore evidenton se vonesat fillestare janë shkaktuar nga nisja e ngadaltë e procedurave të prokurimit, kapacitetet e kufizuara institucionale, aktivitetet përgatitore dhe procesi i finalizimit të kontratave.
“Zbatimi mbetet pas afateve në disa fusha kritike dhe do të nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përshpejtuar aktivitetet prioritare dhe për t’i kthyer angazhimet në progres fizik dhe rezultate në terren”, thuhet në raport.
65.89 milionë dollarë ende të padisbursuara, rriten rreziqet e zbatimit
Sipas të dhënave financiare, nga financimi i rishikuar prej 72.4 milionë dollarësh, deri më tani janë disbursuar vetëm 6.51 milionë dollarë, ndërsa 65.89 milionë dollarë mbeten të padisbursuara. Afati i parashikuar për përfundimin e projektit është shtatori i vitit 2028.
Një nga shqetësimet kryesore të Bankës Botërore lidhet me kapacitetet institucionale për zbatimin dhe qëndrueshmërinë e projektit. Ky rrezik aktualisht vlerësohet i lartë, ndërsa në momentin e miratimit ishte klasifikuar i ulët.
Ndërkohë, rreziku fiduciar, që lidhet me administrimin e fondeve dhe procedurat e prokurimit, është rritur nga niveli mesatar në nivel të konsiderueshëm. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, rreziku i përgjithshëm i projektit vijon të vlerësohet mesatar.
Qendrat ushqimore ende nuk janë ngritur, zero përfitues dhe shitje bujqësore
Vonesat në zbatimin e projektit pasqyrohen edhe në treguesit konkretë të rezultateve. Sipas raportit, shitjet e produkteve bujqësore përmes qendrave Micro Food Hubs mbeten në zero, përkundrejt objektivit për realizimin e 6,000 tonëve shitje.
“Ky tregues mbetet në zero, pasi qendrat Micro Food Hubs nuk janë krijuar ende dhe deri më tani nuk është gjeneruar asnjë shitje”, konstaton Banka Botërore.
Raporti evidenton gjithashtu se asnjë fermer nuk ka përfituar ende nga aktivitetet e këtyre qendrave apo nga grupimet prodhuese të financuara përmes projektit.
Edhe investimet në sistemet e ujitjes dhe kullimit janë pas objektivave të përcaktuara. Sipërfaqja bujqësore që ka përfituar shërbime të përmirësuara mbetet në zero, ndërkohë që synimi përfundimtar është përmirësimi i shërbimeve në 12,300 hektarë.
Nuk është regjistruar progres as në objektivin për uljen me 30 për qind të kostove të ujitjes apo në përdorimin e energjisë së rinovueshme në këto sisteme.
Siguria ushqimore, asnjë nga gjashtë pikat e inspektimit kufitar nuk është përfunduar
Probleme me ecurinë e investimeve evidentohen edhe në komponentin e sigurisë ushqimore. Sipas Bankës Botërore, asnjë nga gjashtë pikat e inspektimit kufitar të planifikuara në kuadër të projektit nuk është përfunduar.
Në zero mbeten gjithashtu treguesit për analizat e reja në laboratorët rajonalë, trajnimin e 75 punonjësve laboratorikë dhe shtimin e kapaciteteve të magazinimit për produktet e bllokuara.
Raporti konstaton se nuk është regjistruar progres as në akreditimin e metodave të analizës në Laboratorin Kombëtar të Referencës, një tjetër objektiv i parashikuar në kuadër të forcimit të kapaciteteve të sigurisë ushqimore.
Vonesa janë evidentuar edhe në krijimin e platformës së analizës së të dhënave për Ministrinë e Bujqësisë dhe bashkitë. Ndërkohë, mekanizmat për mbledhjen e vlerësimeve nga përfituesit dhe trajtimin e ankesave nuk janë bërë ende plotësisht funksionalë.
Banka Botërore evidenton përmirësim të ritmit, nisin punimet në Mursi
Pavarësisht vlerësimit të pakënaqshëm dhe vonesave në realizimin e objektivave, Banka Botërore konstaton një përmirësim të ritmit të zbatimit të projektit gjatë periudhës së fundit.
Ndër zhvillimet pozitive përmendet nisja e punimeve në skemën e ujitjes së Mursisë, si dhe përparimi në aktivitetet për modernizimin e sistemeve të ujitjes dhe laboratorëve.
Për të përshpejtuar realizimin e investimeve, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Banka Botërore kanë rënë dakord të forcojnë mbikëqyrjen, koordinimin institucional, procedurat e prokurimit dhe monitorimin e rezultateve.
Palët kanë lënë gjithashtu të hapur mundësinë e ndryshimeve në objektin dhe mënyrën e zbatimit të projektit, me synimin për të përshpejtuar aktivitetet prioritare dhe për të arritur rezultatet e planifikuara deri në afatin e përfundimit, në shtator 2028.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)